1575 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 24 tetor 2017 – Është mbajtur takimi i njëqindedyzetenjë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e KPK-së, kanë diskutuar dhe aprovuar kërkesën e koordinatores Nacionale të Zgjedhjeve, prokurores Laura Pula, për kompensimin e prokurorëve dhe stafit mbështetës që janë angazhuar në kuadër të projektit strategjik për mbrojtjen e votës, për zgjedhjet lokale të datës 22 tetor 2017, si dhe për balotazhin e datës 19 nëntor 2017, për kryetar të komunave.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë marrë vendim për shpalljen e konkursit të brendshëm për tri pozita, për avancim të prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi që në këtë prokurori ka mungesë të prokurorëve.

Gjithashtu, anëtarët e KPK-së, morën vendim për plotësim-ndryshimin e vendimeve, KPK/Nr.459/2017 dhe KPK/Nr.486/2017.

Si pikë e fundit e rendit të ditës që u diskutua dhe aprovua nga anëtarët e KPK-së, ishte raportimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, për periudhën tremujore prill- qershor 2017.