1533 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

U mbajt takimi i radhës i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit

Prishtinë, 26 shtator 2017 - Është mbajtur takimi i radhës i Bordit Bashkërendues për Sundimin e  Ligjit i organizuar për herë të parë nga Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe i kryesuar nga Kryesuesi i KGjK-së, Nehat Idrizi.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe Ministri i Drejtësisë (MD), Abelard Tahiri, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial (KPK), Blerim Isufaj, Shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe udhëheqësja e Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Aleksandra Papadopoulou.

Kryesuesi Idrizi përshëndeti takimin e Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit dhe i quajti takime me vlerë dhe dobi të veçantë, ku si të tilla i ofrojnë mundësinë akterëve kryesor të sistemit të drejtësisë në Kosovë të diskutojnë në lidhje me vështirësitë dhe sfidat në këtë fushë. Idrizi  përsëriti zotimin e palëkundur për bashkëpunim me të gjithë partnerët për sundimin e ligjit me qëllimin përfundimtar të krijimit dhe konsolidimit të një sistemi të drejtësisë të ndërtuar mbi premisat e hapjes, llogaridhënies, efikasitetit dhe meritokracisë.

Në fillim të këtij takimi, anëtarëve të Bordit Bashkërendues për Sundimin e  Ligjit ju prezantua  Raportit i Progresit për Marrëveshje  Kompakte. Në këtë Raport të periudhës korrik 2016 deri në qershor 2017, thuhet se është arritur progres në avancimin e sektorit për sundimin e ligjit, pasi që institucionet e Kosovës kanë dëshmuar që janë në gjendje që gjithnjë e më tepër t’i adresojnë vet sfidat e sundimit të ligjit. Sidoqoftë, ato mbesin të zotuara në agjendën e përbashkët të sundimit të ligjit në Kosovë, edhe pse Institucionet  ende duhet t’i përgjigjen në mënyrë efektive problemeve të vazhdueshme të ndërhyrjeve politike dhe korrupsionit.

Sa i përket Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, Raporti flet me theks të veçantë për administrimin e procesit të përzgjedhjes dhe rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve përfshirë edhe veriun e vendit. Gjithashtu, numri i madh i lëndëve të pazgjedhura në sistemin gjyqësor mbetet shqetësim për këtë Raport.

Shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Natalija Apostolova, mirëpriti publikimin e Raportit të Kompakt Progresit dhe përgëzoi përpjekjet e institucioneve të Kosovës për Sundimin e Ligjit në vitin e kaluar. Apostolova u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të zbatojnë rekomandimet e mbetura të Raportit 2016 për Kosovën të Komisionit Evropian në pjesën e tij për 'Funksionimin e gjyqësorit' si dhe prioritetet relevante të Agjendës Evropiane të Reformës.

"Shqyrtimi dhe miratimi i legjislacionit e bën të detyrueshëm pezullimin, përkatësisht largimin e zyrtarëve publikë të paditur dhe të dënuar për korrupsion, e që është një prioritet për të cilin Autoritetet e Kosovës u zotuan se do ta përmbushin brenda Agjendës Evropiane të Reformës", tha Apostolova. "Inkurajoj përfshirjen e dispozitave ligjore të kërkuara në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale për të bërë këtë të mundur. Unë gjithashtu inkurajoj Autoritetet e Kosovës që të shtojnë përpjekjet për të reformuar në tërësi legjislacionin penal në mënyrë që të jetë një mjet i fuqishëm për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, siç kërkohet nga MSA dhe Raporti i vitit 2016. "

Shefja e Misionit EULEX, znj. Alexandra Papadopoulou, e theksoi rëndësinë e takimeve të BPSL-së si një forum i duhur për ta adresuar suksesin dhe sfidat e mbetura në kuadër të sundimit të ligjit në Kosovë. Ajo i përgëzoi institucionet e Kosovës për progresin e tyre të deritanishëm, siç edhe është përshkruar në Raportin e Progresit për Marrëveshjen Kompakte. Znj. Papadopoulou e përshëndeti profesionalizmin e Policisë së Kosovës për llogaridhënien e tyre dhe qëndrueshmërinë në ofrimin e shërbimeve të zbatimit të ligjit, ndërsa e përgëzoi Doganën e Kosovës për vazhdimin e performancës së saj në nivel të lartë, veçanërisht sa i përket arkëtimit të hyrave.

Ajo i bëri thirrje institucioneve kosovare të sundimit të ligjit që t’i intensifikojnë angazhimet e tyre për adresimin e sfidave të mbetura dhe t’i përgjigjen problemeve të përgjithshme si ato të ndërhyrjes politike dhe korrupsionit.

Ajo theksoi se gjatë periudhës së ardhshme priten përmirësime nga Shërbimi Korrektues i Kosovës sa i përket zhvillimit të tij drejt standardeve të BE-së.  “Ndërhyrjet e vazhdueshme në punën e këtij institucioni, veçanërisht në trajtimin e të burgosurve të profilit të lartë, është pengesë për funksionimin e pavarur të tij si dhe e vështirëson progresin.”

Znj. Papadopoulou e shprehu zotimin e vazhdueshëm të EULEX-it për ta ndihmuar Kosovën që të krijojë një sistem efikas dhe të pavarur të sundimit të ligjit, të lirë nga ndërhyrjet politike dhe në përputhje me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira.

Duke pasur parasysh punën e ndërmarrë në vitin e fundit, Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit mbetet i zotuar që të zhvilloi edhe më tutje sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë, në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat më të mira, sipas kërkesave të përcaktuara për procesin e përafrimit të Bashkimit Evropian (BE), me Kosovën. Në këtë kontekst familja e BE-së, i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin përsipër më shumë përgjegjësi për ndërtimin e një sistemi ligjor të qëndrueshëm, llogaridhënës dhe i pavarur, thuhet në mes tjerash në këtë Raport.