1526 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi Isufaj është takuar me ekspertë të TAIEX

Prishtinë, 26 shtator 2017 -  Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, i shoqëruar nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, ka pritur në takim një delegacion të misionit vlerësues të TAIEX (Asistenca Teknike dhe Shkëmbimi i Informacionit) të Komisionit Evropian të udhëhequr nga ekspertët: Camelia Bogdan, Theo Byl dhe Maurizio Varanese.

Qëllimi i këtij takimi ishte vlerësimi i kapaciteteve të sistemit prokurorial në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Kryesuesi i KPK-së në fillim të këtij takimi njoftoi mysafirët me organizimin, rolin, kompetencat dhe punët që është duke i bërë Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Më pas kryesuesi Isufaj iu përgjigj interesimit të delegacionit nga Komisioni Evropian lidhur me sfidat e sistemit prokurorial, me thekës të veçantë për buxhetin, pavarësinë në punë të prokurorëve, kriteret për zgjedhjen e kryeprokurorëve dhe prokurorëve, vlerësimin, disiplinimin dhe monitorimin e punës së tyre.

Kryesuesi Isufaj duke falënderuar kontributin që BE-ja është duke e dhënë për sistemin prokurorial të Kosovës, ka thënë se janë duke punuar vazhdimisht në eliminimin e sfidave, ngritjen e kapaciteteve në efikasitet në punë, llogaridhënie dhe transparencë.