1512 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 25 shtator 2017 – Është mbajtur takimi i njëqindetridhjetetetë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Në fillim të këtij takimi Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike ka prezentuar Raportin tre mujore prill-qershor 2017, i cili raport pas diskutimeve është aprovuar nga anëtarët e KPK-së.

Po ashtu, anëtarët e KPK-së kanë diskutuar dhe aprovuar Raportin janar-qershor 2017 të Komisionit Mbikëqyrës në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Anëtarët e KPK-së kanë themeluar grupin punues për hartimin e strategjisë për zvogëlimin e ngarkesës me të gjitha lëndët e veprave penale karakteristike të mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për periudhën kohore 2018 – 2020, si dhe grupin punues për plotësim-ndryshimin e Udhëzimit administrativ për normën orientuese vjetore.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial u njoftuan nga Komisioni për shqyrtimin e përshtatshmërisë së kandidatëve të nominuar nga shoqëria civile për anëtar të Këshillit Prokurorial, se gjatë periudhës sa konkursi ka qenë i hapur, komisioni nuk ka pranuar asnjë nominim për kandidat nga radhët e shoqërisë civile, andaj Këshilli ka marrë vendim për rishpallje të konkursit.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial ka aprovuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin transferimit edhe për gjashtë (6) muaj të prokurorit Afrim Shefkiu.

Si pikë tjetër ishte edhe raportimi i kryesuesve të komisioneve të përhershme të Këshillit Prokurorial, për periudhën kohore janar – qershor 2017. Raportimi i tyre ishte fokusuar në  takimet e mbajtura, çështjet e trajtuara, vendimet e marra, si dhe për sfidat në realizimin e mandatit të komisioneve.

Në fund të këtij takimi, anëtarët e KPK-së kanë marrë vendim që veprat penale të drogave të përfshihen në Planin Strategjik 2016-2018, së bashku me veprat penale të korrupsionit dhe krimeve ekonomike.