1366 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi Isufaj është takuar me përfaqësueset e Njësisë së KE-së për Kosovën

Prishtinë, 30 maj 2017 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, sot ka pritur në takim Lora Ujkaj dhe Julia Mueller-Hellman nga Drejtoria e Përgjithshme e BE-së – Njësia e Komisionit Evropian për Kosovën.

Në fillim të takimit, kryesuesi Isufaj ka njoftuar mysafiret me riorganizimin e KPK-së, punët që janë bërë, ato që pritët të bëhen dhe me sfidat që po ballafaqohet sistemi prokurorial i Kosovës.

Në anën tjetër, përfaqësueset e Njësisë së Komisionit Evropian për Kosovën, pasi vlerësuan punën që është duke e bërë KPK-ja, njoftuan që në shtator do të fillojë në Kosovë, nga kjo drejtori, misioni i shqyrtimit të punëve të realizuara nga sistemi i drejtësisë së Republikës së Kosovës. Ato thanë se ky mision duhet të merret si mundësi e organeve të drejtësisë së Kosovës për të diskutuar me përfaqësuesit nga vendet e BE-së, për të arritur progres në fushat që do të trajtohen nga misioni.

Kryesuesi Isufaj, duke vlerësuar mbështetjen që BE-ja ka dhënë dhe po jep për sistemin prokurorial të Kosovës, shprehi gatishmërinë e tij dhe të tërë sistemit prokurorial për bashkëpunim të plotë në realizimin e misionit shqyrtues të punëve të realizuara nga sistemi i drejtësisë së Republikës së Kosovës.