1355 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

UN-Women ofron mbështetje dhe mentorim për prokurorët që merren me krime lufte

Prishtinë, 24 maj 2017 – Për të dytën herë është zhvilluar takimi mes anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të udhëhequr nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, me prokuroren dhe eksperten e drejtësisë tranzicionale, me fokus të veçantë në krimet seksuale gjatë luftës, znj. Maxine Marcus,  dhe ekipin e saj, të cilët janë pjesë e programit UN-Women-CJA Partneriteti për Mentorim në Drejtësinë Transformuese.

Kryesuesi i Këshillit, Blerim Isufaj, theksoi se znj. Marcus dhe ekipi i saj, po punojnë në një projekt i cili ofron mbështetje dhe mentorim për prokurorët që merren me krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, dhe gjenocid. Ky ekip është duke i ofruar mbështetje prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Gjatë këtij takimi, u diskutua për rastet e krimeve të luftës të trajtuara në Kosovë nga UNMIK-u dhe EULEX-i dhe për mundësinë e bartjes së ekspertizës në këtë fushë tek institucionet vendore.

Në fund të takimit, kryesuesi Isufaj, pasi vlerësoi rëndësinë e punës që ky ekip po bën në Kosovë, shprehi përkushtimin dhe gatishmërinë e KPK-së për fuqizimin e bashkëpunimit të ndërsjellët për luftimin e kësaj dukurie.