1304 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi Isufaj ka takuar partnerët që mbështesin sistemin prokurorial

Prishtinë, 24 prill 2017 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, sot ka mbledhur në takim koordinues të gjithë donatorët/partnerët ndërkombëtar të sistemit prokurorial të Kosovës.

Në këtë takim koordinues morën pjesë përfaqësuesit nga Ambasada amerikane, angleze, holandeze, Zyra e BE-së, EULEX-i, UNDP-ja, Projekti i Binjakëzimit, GIZ-i, Projekti EULER II, Projekti WINPRO III, PECK II etj.

Në fillim të fjalës së tij para donatorëve, kryesuesi Isufaj tha se takimi ka për qëllim intensifikimin e bashkëpunimit dhe njoftimin me të arriturat, sfidat dhe objektivat e sistemit prokurorial të Kosovës. Ai tha se sistemi prokurorial i Kosovës ka shënuar progres të prekshëm në shumë fusha të veprimtarisë së vet, mirëpo janë disa sfida me të cilat vazhdon të ballafaqohet.

Në fund të fjalës së tij, kryesuesi Isufaj vlerësoi ndihmën e vazhdueshme që japin partnerët ndërkombëtar për sistemin prokurorial, ndërsa, paraqiti qëndrimin e tij në koordinim sa më të mirë të donacioneve, me qëllim që përfitimet nga to të jenë sa më të mëdha dhe të qëndrueshme.

Ndërsa, drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, prezantoi prioritetet e sistemit prokurorial. Ai tha se avancimi i sistemit të administrimit, menaxhimit dhe llogaridhënies, avancimi i vlerësimit të performancës së prokurorëve, avancimi i sistemit të disiplinimit të prokurorëve, trajnimet e vazhdueshme për prokurorë dhe staf administrativ, promovimi i besimit të publikut në sistemin prokurorial, ngritja e bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar, etj., janë disa nga prioritetet kryesore të sistemit prokurorial.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e institucioneve partnere, pasi vlerësuan organizimin e takimit, shprehën qëndrimet e tyre lidhur me mbështetjen që janë duke e bërë për sistemin prokurorial, por paraqitën edhe mendimet lidhur me prioritetet e paraqitura nga përfaqësuesit e sistemit prokurorial të Kosovës.

Në fund të takimit, pjesëmarrësit u pajtuan që takime të kësaj natyre të organizohen më shpesh, me qëllim të koordinimit sa më të mirë të aktiviteteve të përbashkëta.