1273 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 29 mars 2017 – Është mbajtur takimi i njëqindetridhjetenjë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi, para anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, janë prezantuar dhe aprovuar raportet e punës së KPK-së, për vitin 2015 dhe 2016, raporte këto të cilat paraqesin aktivitetet një vjeçare të zhvilluara në realizimin e vizionit dhe misionit të KPK-së.  

Po ashtu, sot u prezantua dhe aprovua raporti vjetor i Prokurorit të Shtetit për vitin 2016, i cili përmban aktivitetet kryesore të këtij institucioni me fokus në pasqyrimin e punës së institucionit përmes të dhënave statistikore dhe krahasuese të realizuara.

Një raport tjetër që u shqyrtua dhe u aprovua nga anëtarët e Këshillit Prokurorial, ishte raporti vjetor  lidhur me buxhetin e vitit 2016.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial morën vendim që të shpallet konkursi për tetëmbëdhjetë (18) prokuror të rinj, të cilët do të shpërndahen nëpër prokuroritë Themelore të Kosovës. Për Prokuroritë Themelore të Prishtinës dhe Gjilanit është paraparë të zgjedhën nga një (1) prokuror, për Prokurorinë Themelore të Gjakovës dy (2), për Prokurorinë Themelore të Pejës katër (4), dhe për Prokuroritë Themelore të Prizrenit dhe Ferizajt do të jenë nga pesë (5) prokurorë. 

Po ashtu, anëtarët e KPK-së, morën vendim që Komisioni për emërimin e prokurorëve të rinj të jetë i njëjti me atë të kaluarin. Ky komision përbëhet nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kryesues, prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Lulzim Sylejmani dhe prokurorët Ikramije Bojaxhiu, Radica Milic dhe Idain Smailji, nga radhët e KPK-së, anëtarë.

Gjithashtu, anëtarët e KPK-së, themeluan Komisionin për Administrimin e Prokurorive. Kryesuese e këtij komisioni u caktua anëtarja e KPK-së, prokurorja Radica Milic, ndërsa anëtarë, zëvendës kryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina dhe prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Veton Shabani.

Po sot, anëtarët e KPK-së, aprovuan kërkesën e Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave, për kompensimin e kujdestarisë.

Gjatë këtij takimi u aprovuan plotësim-ndryshimet e bëra nga Komisioni për Çështje Normative në Rregulloren për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendës kryesuesit të Këshillit Prokurorial. 

Kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, gjatë këtij takimi ftoi të gjithë anëtarët prokurorë të KPK-së që, duke u bazuar në aktet normative, të konkurrojnë për pozitën e Zëvendës kryesuesit, pasi Zëvendës kryesuesit aktual do t’i përfundojë mandati në fund të muajit prill.

Si pikë e fundit e rendit të ditës ishte njoftimi i anëtarëve të KPK-së për dorëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sefer Morina.