1249 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Fjalimi i kryesuesit Isufaj, në hapjen e Projektit Fuqizimi i efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë”

Prishtinë, 3 mars 2017 – Sot, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, ka marrë pjesë dhe ka mbajtur një fjalë rasti në hapjen e Projektit “Fuqizimi i efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë”, i menaxhuar nga zyra e BE-së në Kosovë, dhe implementuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor Italian dhe Ministria e Drejtësisë Franceze.

Ai me këtë rast, para pjesëmarrësve ka thënë: “Është nder për mua që në emër të Këshillit Prokurorial të Kosovës të jem prezent në prezantimin e fillimit zyrtar të Projektit të Binjakëzimit.

Kur shoh këtu personalitete të rëndësishme dhe përfaqësues të institucioneve kryesore të drejtësisë të shteteve mike si Italia dhe Franca, si dhe atyre nga vendi ynë si, kolegë nga Këshilli Gjyqësor, Ministrja e Drejtësisë, Kryeprokurori i Shtetit, kryetar të gjykatave dhe mysafirë të tjerë miq të sistemit të drejtësisë, ndihem i motivuar të besoj më tepër se projekti që po e promovojmë sot vërtetë do të fuqizojë efikasitetin, llogaridhënien dhe transparencën e sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Për ne si përfitues, ky projekt ofron mundësi të cilat jam i bindur se do t’i shfrytëzojmë pozitivisht.

Siç dihet, tashmë këto mundësi projekti i ofron për Këshillin, për komisionet e Këshillit, për stafin administrativ të Këshillit, si dhe për Prokurorinë Speciale.

Projekti tashmë ka filluar me aktivitetet e tij dhe aktualisht është në fazën e vlerësimit dhe analizës së nevojave, megjithatë janë duke u zhvilluar edhe trajnime dhe diskutime me grupe të përfituesve me qëllim të shkëmbimit të përvojave në drejtim të ngritjes së kapaciteteve të sistemit prokurorial.

Dëshiroj të theksoj se projekti i ka kaluar sfidat e fillimit dhe ne si Këshill po bëjmë përpjekje që të bashkëpunojmë në çdo kohë në të mirë të përfitimeve të dyanshme.  Kjo frymë e një bashkëpunimi e cila është edhe thelbi i projektit të binjakëzimit do të na shoqërojë edhe në të ardhmen.

Këshilli, komisionet dhe administrata e tij po kalojnë nëpër një fazë pozitive të ngritjes së kapaciteteve, andaj ndihma që po japin dhe që pritet nga ekspertët e projektit është mjaft e rëndësishme. Kjo në veçanti pasi që ne ende kemi mungesa buxhetore të realizojmë aktivitete si ato që financon projekti.

Ne, me kapacitetet tona dhe me mbështetjen e partnerëve tanë, po vendosim standarde të avancuara në rekrutimin, vlerësimin e performancës, transferimin, avancimin dhe disiplinimin e prokurorëve. Besojmë se përvojat e ndara me ne nga ekspertët e projektit si dhe eksperienca e fituar nga vizitat dhe programet e shkëmbimit me sistemin gjyqësor italian dhe francez, do të forcojnë edhe më tutje kapacitetet tona në drejtim të zbatimit të mandatit kushtetues dhe ligjor.

Si Kryesues i Këshillit Prokurorial, mund të them lirisht se po bëjmë përpjekje që të ofrojmë bashkëpunim të gjithanshëm për udhëheqjen e projektit dhe ekspertët e tij. Këtë po e bëjnë të gjitha komisionet e Këshillit, stafi i sekretariatit, njësiti i performancës së prokurorëve, si dhe të gjithë prokurorët.

Duket qartë se kemi një fillim të mirë dhe me përkushtimin e përbashkët jam i sigurtë që do të arrijmë sukseset e pritura dhe do të realizojmë objektivat e vendosura së bashku.

Ne presim që të gjitha aktivitetet e projektit si: trajnimet, tryezat e diskutimit me ekspertë, programet e shkëmbimit më Këshillin Gjyqësor Italian dhe atë Francez, si dhe vizitat studimore në këto vende, do ta fuqizojnë vërtetë efikasitetin, llogaridhënien dhe transparencën e sistemit prokurorial.

Jemi të vetëdijshëm se këto tri vlera janë gurë themel për një sundim të mirëfilltë të rendit dhe ligjit në vendin tonë dhe vetëm së bashku do tu japim kuptim në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Ne, si sistem prokurorial, e kemi dëshmuar tashmë se efikasiteti, llogaridhënia dhe transparenca janë pjesa më e rëndësishme e prioriteteve për të ardhmen dhe besojmë që së bashku do t’i forcojmë më tutje këto vlera.

Duke shpresuar se do të vazhdojmë bashkëpunimin me një qasje proaktive, kreative dhe të hapur, shpresoj që do të dëshmojmë se vërtetë jemi promovues të vlerave të cilat së bashku do t’i forcojmë. 

Në fund, dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian për financimin e këtij projekti, Zyrën e BE-së në Prishtinë për menaxhimin e tij, si dhe konsorciumin italian e francez për zbatimin e tij. 

Mbesim të hapur për bashkëpunim dhe besojmë në suksese të përbashkëta në të ardhmen.”