1245 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Konkluzionet e takimit të fundit të Bordit të Përbashkët për Sundim të Ligjit

Prishtinë, 27 shkurt 2017 - Bordi i Përbashkët për Sundim të Ligjit në takimin e fundit të mbajtur të mbajtur kohë më parë, e në të cilin kanë marrë pjesë: Dhurata Hoxha, Ministre e Drejtësisë,  Blerim Isufaj, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Nehat Idrizi, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Alexandra Papadopoulou, Shefe e Misionit të EULEX-it, Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE/Përfaqësuese Speciale e BE-së dhe bashkëpunëtorët e tyre, kanë nxjerrë konkluzionet si në vijim:

1. Miratimi i Marrëveshjes së re Kompakte 3

Kryesuesit e Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit (BPSL) e miratuan Marrëveshjen e re Kompakte 3, me çka formalisht e përtërinë zotimin për të ndërtuar institucione të fuqishme të sundimit të ligjit.

2. Udhërrëfyesit e BPSL-së

Kryesuesit e BPSL-së diskutuan për çështje të rëndësishme lidhur me udhërrëfyesit e mëposhtëm:

2.1. Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML):

Të gjithë kryesuesit e BPSL-së u pajtuan lidhur me rëndësinë e avancimit të IML-së në një institut të pavarur të menaxhuar në mënyrë profesionale dhe të financuar si duhet me një udhëheqje të fuqishme. Ndarja e fondeve të mjaftueshme buxhetore për funksionimin e mirëfilltë të këtij instituti u tha të jetë një prej shqetësimeve më kryesore që duhet adresuar menjëherë.

2.2. Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme (DHPGJS):

Kryesuesit e BPSL-së u pajtuan lidhur me nevojën urgjente për ta zvogëluar numrin në rritje të rasteve të pazgjidhura në DHPGJS. Kjo çështje duhet adresuar urgjentisht dhe të trajtohet si çështje prioritare. Në lidhje me këtë u paraqitën dhe u diskutuan opsione të ndryshme. BPSL do ta vazhdojë diskutimin ndërsa EULEX-i dhe ZBE/PSBE janë të gatshme ta mbështesin KGJK-në në hartimin e një strategjie për zvogëlimin e numrit të lëndëve të grumbulluara.

3. Njoftim lidhur me Reformën e Drejtësisë Penale

Kryesuesit e BPSL-së u pajtuan për nevojën e shqyrtimit të përgjithshëm të Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal si hap i rëndësishëm për avancimin e mëtejmë drejt një sistemi të pavarur dhe funksional të Sundimit të Ligjit në Kosovë në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat më të mira. Kryesuesit kosovarë e konfirmuan se do të konsultojnë dhe shqyrtojnë komentet dhe rekomandimet e të gjithë aktorëve kryesorë në këtë proces.

4. Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2016

Kryesuesit e BPSL-së i miratuan gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën. Të gjithë u pajtuan me rëndësinë e zbatimit të pakos së drejtësisë të vitit 2015 dhe miratimin e legjislacionit dytësor në mënyrë që të zhvillohet një sistem i mirëfilltë dhe funksional i drejtësisë. U tha se nuk duhet të ketë më vonesa në këtë drejtim. Për më shumë, u ra dakord që të bëhet më shumë progres në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. BPSL do ta monitorojë progresin e adresimit të rekomandimeve që dalin nga raporti i vitit 2016. ZBE/PSBE dhe EULEX-i janë të gatshëm që ta japin mbështetjen dhe ndihmën e tyre t plotë.

5. Pavarësia e sistemit të drejtësisë

Të gjithë kryesuesit e BPSL-së i kushtuan rëndësi të madhe mbrojtjes së pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe janë tejet të shqetësuar nga incidentet ku figurat publike, në veçanti figurat udhëheqëse politike, figura me ndikim, i kanë komentuar rastet në gjykim apo vendimet për raste individuale. Kjo duhet të adresohet dhe ndaj kësaj të reagohet publikisht dhe me vendosmëri. Si ZBE/PSBE ashtu edhe EULEX-i janë gjithashtu shumë të shqetësuar lidhur me parregullsitë në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve. Ndryshimi retroaktiv i kritereve dhe rregullave të konkursit është në kundërshtim e standardet e BE-së për konkurrencë të drejtë dhe në kundërshtim me parimet themelore të sundimit të ligjit si ato të sigurisë dhe parashikueshmërisë ligjore.

6. Procesi i integrimit të drejtësisë (zbatimi i Marrëveshjes për drejtësinë)

Kryesuesit e BPSL-së janë të kënaqur me progresin dhe konsensusin në kuadër të gjithë kryesuesve të BPSL-së lidhur me rëndësinë e integrimit të drejtësisë të udhëhequr nga Serbia në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës. Të gjithë janë të përkushtuar që të bëjnë gjithçka në kuadër të kompetencave të tyre për t’i mënjanuar të gjitha pengesat për një gjyqësor plotësisht të integruar në Kosovë.