1244 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Takime të fokusit lidhur me vlerësimin e rrezikut të korrupsionit

Tiranë, 24 shkurt 2017 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, kryetarë të komisioneve të Këshillit, prokurorë dhe zyrtarë të lartë të sekretariatit, po marrin pjesë në takimet e grupeve të fokusit lidhur me vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në prokurori dhe gjyqësor. Këto takime janë organizuar në kuadër të Projektit të Përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës kundër Krimit Ekonomik në Kosovë (PECKII) dhe po mbahen më 23-24 shkurt në Tiranë të Republikës së Shqipërisë.

Ndër temat e diskutimeve në këto takime janë; menaxhimi i prokurorive, rekrutimi, emërimi, vlerësimi, disiplinimi dhe zhvillimi i karrierës së prokurorëve. Gjithashtu u trajtuan edhe aspekte të ndryshme lidhur me menaxhimin e rasteve, pavarësinë e prokurorëve nga ndërhyrjet e rasteve, përdorimin e udhëzuesve dhe instruksioneve të shkruara, kodet e etikës, trajtimin e rasteve të korrupsionit nga ana e prokurorëve, dhe transparencën e vendimmarrjes.

Në cilësi të prezantuesve me qëllim të shkëmbimit të përvojave ishin ekspert të angazhuar nga projekti dhe prokurorë nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia. Ndërsa pjesëmarrës në këto takime, përveç kryesuesit të Këshillit po marrin pjesë edhe kryetarë të komisioneve të përhershme të Këshillit, prokurorë nga nivele të ndryshme të Prokurorit të Shtetit, drejtori i sekretariatit të Këshillit dhe zyrtarë ligjorë nga Këshilli.