1237 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Vizitë pune në Republikën Federale të Gjermanisë

Prishtinë, 16 shkurt 2017 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Blerim Isufaj nga data 14 deri më 16 shkurt ka marrë pjesë në një vizitë pune në Republikën Federale të Gjermanisë. Kjo vizitë u organizua nga Institutit Gjyqësor i Kosovës me mbështetje të Projektit të Binjakëzimit ‘’Mbështetje e mëtejme reformës së arsimimit ligjor’’(projekt i financuar nga Zyra e BE-së).

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte njohja më për së afërmi e mënyrës së funksionimit të akademive regjionale dhe akademisë federative gjermane, për trajnime të prokurorëve dhe gjyqtarëve me qëllim të mbështetjes së procesit të transformimit të Institutit Gjyqësor të Kosovës në Akademi të Drejtësisë.

Në kuadër të kësaj vizite janë realizuar takime në Akademinë Federale të trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në Akademinë e Drejtësisë për Rajonin e Berlinit dhe Brandenburgut si dhe në Ministrinë e Drejtësisë të këtyre rajoneve. Temat kryesore të diskutimit në këto takime ishin; provimet pranuese për kandidatët prokurorë dhe gjyqtarë, trajnimi fillestar i kandidatëve për prokurorë dhe gjyqtarë, trajnimi i vazhdueshëm i prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit administrativ të gjykatave dhe prokurorive, përfshirë vlerësimin e nevojave për trajnime, përzgjedhjen e trajnuesve dhe metodologjinë trajnuese.  Pjesë e kësaj vizite ishin edhe takimet në Zyrën e Kryeprokurorit dhe në Gjykatën e Apelit në Berlin ku u diskutua për rekrutimin e resurseve njerezore, në veçanti për rekrutimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj.

Pjesëmarrës në këtë vizitë ishin edhe Kryeprokurori i Shtetit, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Kryetari i Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial dhe U.D Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës.