1223 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Fjala e kryesuesit Isufaj në Konferencën vjetore të prokurorëve

Prishtinë, 28 janar 2017 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, sot ka marrë pjesë në Konferencën vjetor të prokurorëve, e organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Me këtë rast, kryesuesi Isufaj, para të pranishmëve tha: “Ka pak më shumë se një vit që kur në një forum të ngjashëm, ‘’Konferencën vjetore” të vitit të kaluar, jam zgjedhur ta përfaqësoj Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës në Këshillin Prokurorial të Kosovës. I falënderoj kolegët e mi për besimin e treguar ndaj meje.

Pak ditë më vonë Këshilli më ka zgjedhur ta drejtoj atë drejt realizimit të mandatit kushtetues e ligjor. Pas kësaj menjëherë kam filluar ta ndjej peshën e drejtimit të Këshillit së bashku me të gjitha strukturat e tij.

Nga ajo kohë e deri më tani kemi kaluar nëpër sfida të shumta dhe sot ju them juve se ndihem krenar me punën e kolegëve të mi anëtarë të Këshillit, ndihem krenar me punën tuaj si prokurorë, me shërbimin e stafit të sistemit prokurorial dhe njëkohësisht jam i motivuar nga ndihma e të gjithë juve partnerë të sistemit prokurorial.

Mandati ynë si Këshill fokusohet në mundësimin dhe sigurimin e kushteve sa më të mira në mënyrë që ju si prokurorë të hetoni dhe ndjekni kryerësit e veprave penale dhe me efikasitet, efektivitet ta përfaqësoni shtetin kundër çdo veprimi apo dukurie kriminale.

Ju siguroj se pritjet tuaja në zbatim të përgjegjësive që i keni, janë prioritet absolut i planeve dhe strategjive tona si Këshill Prokurorial dhe imi si kryesues i tij.

Më vjen mirë që sot këtu mund ta them një gjë me siguri të plotë: për një vit kemi arritur të sigurojmë numër më të madh të prokurorëve duke rekrutuar me sukses 25 prokurorë të rinj dhe së shpejti do të fillojmë rekrutimin edhe të një numri tjetër të prokurorëve, kemi arritur të transferojmë dhe avancojmë numrin e nevojshëm të prokurorëve në nivele të ndryshme të prokurorive, kemi vazhduar me vlerësimin e performancës dhe disiplinimin e prokurorëve. Gjithashtu Këshilli ka arritur të rekrutojë të gjitha pozitat e lira të personelit administrativ të parapara me planin vjetor të personelit.

Vlen të përmendet edhe fakti i përfundimit me sukses të të gjitha obligimeve tona të cilat ishin rezultat i zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësi (rekrutimi i prokurorëve dhe personelit nga radha e komunitetit jo shumicë).

Aktualisht po punojmë për avancimin e sistemit të vlerësimit të performancës së prokurorëve me qëllim që të kemi prokurorë me integritet, dinjitet, profesional dhe të guximshëm. Me këtë rast kërkoj nga kryeprokurorët e prokurorive që të angazhohen në vlerësimin e drejtë të punës së secilit prokuror dhe së bashku të sigurojmë zbatimin e standardeve të larta të performancës, ndershmërisë dhe profesionalizmit.

Gjithashtu në mënyrë të vazhdueshme kemi promovuar sistemin e zhvillimit të karrierës përmes transferimit dhe avancimit të prokurorëve aty ku ka më së shumti nevojë. Në javët në vijim do të përfundojmë një proces të avancimit me qëllim të forcimit të Prokurorisë Speciale dhe Departamentit për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Po punojmë në përmirësimin e infrastrukturës së prokurorive, në sigurimin e stafit të nevojshëm si dhe jemi duke ngritur koordinimin për organizimin e trajnimeve për prokurorë dhe personel nga Instituti Gjyqësor i Kosovës.

Në rrugëtimin tonë po përballemi me sfida të shumta dhe nganjëherë edhe të vështira.

Ne ende kemi buxhet të pamjaftueshëm për të plotësuar nevojat e prokurorëve me stafin e duhur, ende kemi nevojë për një siguri më të madhe dhe kushte më të mira për punë, por të jeni të sigurt se të gjitha këto nevoja janë adresuar te Qeveria dhe partnerët tanë dhe kemi besim që ata do të na ndihmojnë për të arritur plotësimin e nevojave tona.

Synimet tona kryesore ndër të tjera janë edhe përmirësimi i komunikimit, planifikimi më i mirë, llogaridhënia dhe transparenca. Këto dhe vlera të tjera janë pjesë e aktiviteteve tona të përditshme.

Në anën tjetër dëshiroj të ju them se edhe Këshilli Prokurorial ka pritje të shumta nga ju.

Mbi të gjitha, ne presim nga ju prokurorë që të punoni me përkushtim, të jeni të drejtë, të pavarur dhe profesional në kryerje të obligimeve tuaja. Ndërsa nga ju kryeprokurorë presim një menaxhim me standarde të larta, me koshiencë dhe i cili mundëson qasje të drejtë në shërbimet e prokurorisë.

Të arriturat dhe realizimi i vizionit tonë do të ishte i pamundur pa bashkëpunimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë vendor dhe ndërkombëtar.

Në këtë drejtim po theksoj ndihmën e dhënë nga projekte të ndryshme të Bashkimit Evropian, prokurorëve dhe këshilltarëve të EULEX-it, Ambasadave si ajo Amerikane, Angleze, Norvexheze, Holandeze dhe Franceze, pastaj ndihmën e madhe të UNDP-së, GIZ-it, IRZ-së etj.

Duke mirëpritur dhe vlerësuar në çdo kohë ndihmën e vazhdueshme të partnerëve, ju informoj edhe për iniciativën e mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit në realizimin e projektit  ’’Iniciativa për Integritetin e Drejtësisë’’, projekt ky i cili do realizohet nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). Ky projekt do të realizohet përmes një anketimi anonim, me ç’rast unë ftoj të gjithë prokurorët që t’i përgjigjen pozitivisht kësaj iniciative.

Këshilli Prokurorial çmon shumë edhe bashkëpunimin e institucioneve vendore dhe pa dashur të përmend me emër, dua të shpreh gatishmërinë tonë për ngritjen e mëtejme të këtij bashkëpunimi.

Në fund, dëshiroj të ju falënderoj të gjithëve për kontributin tuaj në të kaluarën dhe presim bashkëpunimin e ndërsjellë edhe në të ardhmen.”