1202 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi Isufaj para mediave ka paraqitur punën e KPK-së për vitin 2016

Prishtinë, 30.12.2016 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, sot në konferencën e fund-vitit, para mediave, ka pasqyruar punën, rezultatet dhe sfidat me të cilat është ballafaquar gjatë vitit KPK-ja.

Para gazetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë, Kryesuesi Isufaj ka thënë: “Mbështetur në kompetencat ligjore dhe bazuar në planin e punës të përcaktuar për vitin 2016, KPK ka arritur që me sukses të plotë të realizojë disa procese shumë të rëndësishme për avancimin e mëtutjeshëm të sistemit prokurorial.

KPK ka mbajtur 17 mbledhje gjatë vitit 2016, ku fillimisht ka zgjedhur Kryesuesin, zëvendës kryesuesin, ka emëruar anëtarët e komisioneve të përhershme si dhe ka zgjedhur drejtorin e sekretariatit.

Ndër sukseset dhe punët kryesore të realizuara nga KPK janë si në vijim:

  1. Kompletimi i kornizës nënligjore

Gjatë vitit 2016, KPK me sukses ka arritur të hartojë dhe aprovojë të gjitha aktet nënligjore si në vijim:

  • Rregullorja Nr.03 /2016 për Transferim dhe Avancim të Prokuroreve të Shtetit;
  • Rregullorja Nr.04 /2016 për Bashkëpunim Institucional;
  • Rregullorja Nr.05/2016 për Njësinë Ndërlidhëse për Përgjimet;
  • Rregullorja Nr.06/2016 për Komunikim Publik;
  • Rregullorja Nr.07/2016 për procedurën disiplinore për anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës;
  • Rregullorja Nr.08 /2016 për Emërimin e Kryeprokurorëve.

Javën e kaluar është miratuar edhe Rregullorja për Veprimtarinë Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Kjo rregullore ka krijuar bazë të fortë për të ngritur nivelin e menaxhimit, administrimit dhe ofrimit efikas të shërbimeve administrative në Këshillin Prokurorial dhe Prokurorin e Shtetit.

Me këto është plotësuar në tërësi korniza nënligjore e sistemit prokurorial e cila buron nga ndryshim plotësimi i Ligjit për KPK-në dhe Prokurorin e Shtetit i bërë në vitin 2015.

Dëshiroj të theksoj faktin se tërë kjo kornizë nënligjore është hartuar me kapacitetet e sistemit prokurorial në mbështetje të partnerëve ndërkombëtar.

  1. Emërimi i kryeprokurorëve

Gjatë vitit 2016, KPK ka emëruar Kryeprokurorët e Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale, ndërsa pas një procesi të hapur dhe konkurrues është arritur përzgjedhja e 7 (shtatë) kryeprokurorëve të prokurorive themelore. Ky proces ka kaluar të gjitha fazat e përcaktuara me normativën ligjore të sistemit prokurorial.

Përfundimi i këtij procesi tregon qartë se KPK ka përmbushur me sukses mandatin kushtetues dhe ligjor në sigurimin e bazës për administrim të Prokurorit të Shtetit.

  1. Rekrutimi i prokurorëve të rinj

Pas një analize të nevojave, Këshilli Prokurorial, me 12 shkurt 2016 mori vendim për shpalljen e pozitave të lira për prokurorë të rinj në të gjitha prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës.

Në procesin konkurues aplikuan 184 kandidatë për prokurorë. Në bazë të kompetencave të tij, Këshilli themeloi komisionet ad hoc si Komisionin për Rekrutim dhe Komisionin për Rishqyrtim të cilët realizuan procesin e rekrutimit me sukses të plotë. Me këtë rast dua të theksoj se për herë të parë Këshilli ka organizuar me sukses provimin për prokurorë.

Në përfundim të një procesi të hapur, konkurrues dhe të realizuar në mënyrë profesionale, Këshilli i propozoi Presidentit të Republikës së Kosovës dekretimin e 25 prokurorëve të rinj. Këta prokurorë javë më parë kanë filluar punën, përkatësisht trajnimet e parapara me ligj.

  1. Procesi i integrimit në veri

Këshilli gjatë vitit 2016 po ashtu ka udhëhequr procesin e rekrutimit të prokurorëve dhe personelit administrativ nga komunitetit jo shumicë siç është përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit për Drejtësi.

Si rezultat KPK i ka propozuar për dekretim Presidentit të Republikës 14 kandidatë për prokurorë.

Gjithashtu Këshilli ka rekrutuar me sukses 33 zyrtarë administrativ nga komuniteti jo shumicë, si pjesë e këtij procesi.

Për më tepër Këshilli ka siguruar edhe infrastrukturën e nevojshme për fillimin e punës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.  

  1. Avancimi dhe transferimi i prokurorëve

Këshilli Prokurorial, gjatë vitit 2016 ka realizuar edhe procesin e transferimit dhe avancimit të prokurorëve në varësi të nevojave dhe kapaciteteve aktuale në sistem.

Në këtë proces janë avancuar 8 prokurorë (4 prokurorë nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe 2 prokurorë në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Po ashtu 1 prokuror nga Departamenti i Përgjithshëm, ka kaluar në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore të Pejës. Gjithashtu 1 prokuror nga Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, është avancuar në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore të Prishtinës).  

2 prokurorë janë transferuar, 1 është transferuar nga Departamenti për Krime të Rënda në PSRK, 1 prokuror i transferuar nga Departamenti për të Mitur i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, në atë të Krimeve Rënda të Prokurorisë Themeloe të Prishtinës.

Në konkursin për prokurorë në Prokurorinë Speciale, Këshilli nuk ka arritur të rekrutojë prokurorët për vendet e lira për shkak të disa sfidave të karakterit ligjor. Për këtë qëllim, ne kemi vizituar të gjitha prokuroritë në përpjekje për të inkurajuar prokurorët që të aplikojnë për prokurorë të Prokurorisë Speciale. 

Ne jemi optimist se gjatë fillimit të vitit 2017, pasi t’i ndërmarrim veprimet e duhura, do të plotësohen vendet e lira për prokurorë në Prokurorinë Speciale.

  1. Disiplinimi

Lidhur me disiplinimin e prokurorëve mund të theksoj se Këshilli gjatë vitit 2016 ka shqyrtuar 25 raste të paraqitura ndaj prokurorëve. Pas një pune intensive të Komisionit Disiplinor, Këshilli ka shqiptuar masat në vijim:

  1. Suspendim
  2. Qortim,    
  3. Zvogëlim i pagës për 30% për periudhën 3 mujore, dhe
  4. Largim nga detyra (propozim për shkarkim).
  1. Vlerësimi i performancës

Përmes Komisionit për Vlerësimin e Performancës, Këshilli gjatë vitit 2016 ka vlerësuar 22 prokurorë me mandat të përhershëm, në mesin e të cilëve edhe kryeprokurorë. Prej tyre 18 prokurorë janë vlerësuar shumë mirë, 3 prokurorë janë vlerësuar mirë dhe 1 prokuror është vlerësuar dobët.

Po ashtu, Komisioni ka filluar procesin e vlerësimit të performancës së 20 prokurorëve në kuadër të mandatit fillestar. Ky vlerësim ka filluar për herë të parë në sistemin prokurorial.

Me qëllim të ngritjes së efikasitetit të Komisionit për vlerësim të Performancës, Këshilli ka caktuar një anëtar (prokuror) që të shërbej me orar të plotë në procesin e vlerësimit të prokurorëve.

  1. Efikasiteti në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik

Me qëllim të ngritjes së efikasitetit në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik, gjatë këtij viti Këshilli ka hartuar një plan strategjik specifik si dhe ka formuar Njësitin për Korrupsion dhe Krim Ekonomik në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Raportet aktuale tregojnë për një efikasitet të dukshëm në trajtimin e rasteve të korrupsionit nga ky njësit, por detajet do të referohen në raportin vjetor i cili do të prezantohet në fillim të vitit që vjen.

Një e arritur e veçantë për vitin që po lëmë pas është edhe ndërtimi (me kapacitete tona) i Bazës së të Dhënave në Prokurorinë Speciale të Kosovës e cila mundëson unifikimin e të dhënave për rastet e shënjestruara nga kjo prokurori.

  1. Burimet njerëzore – rekrutimi i stafit administrativ

Gjatë këtij viti Këshilli, përkatësisht Sekretariati ka arritur që të plotësojë edhe 15 pozita të personelit administrativ të cilat kishin mbetur të lira për arsye të ndryshme.

  1. Infrastruktura

Këshilli i ka kushtuar kujdes të vazhdueshëm edhe sigurimit të infrastrukturës së sistemit prokurorial. Në këtë drejtim, gjatë vitit 2016 është arritur të bëhet promovimi i ndërtesave të reja për Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe atë në Ferizaj, është siguruar ndërtesa për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës si dhe është vazhduar me ndërtimin e objektit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe pajisjeve të teknologjisë informative. Në këtë kuadër, me financim të donatorëve, ne kemi përfituar pajisje të ndryshme si: pajisje për video konferenca (për 7 prokuroritë themelore), pajisje të përkthimit (përfshirë kabinat për përkthyes), pajisje moderne për arkivimin e lëndëve për të gjitha prokuroritë), kompjuterë, llaptop, fotokopje, aparate digjitale për fotografim, skaner për skanimin e lëndëve, printer, skaner për siguri, gjeneratorë dhe pajisje të tjera. Vlera e tyre e përafërt është rreth një milion e gjysmë euro.

  1. Bashkëpunimi vendor dhe ndërkombëtar

Këshilli ka vazhduar politikën e bashkëpunimit të hapur dhe profesional me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Ndër institucionet  vendore do të veçoja; Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Institutin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë, Odën e Avokatëve të Kosovës, Policinë e Kosovës, etj.

Kurse ndër institucionet, donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë do të theksoja bashkëpunimin me Ambasadën Amerikane, Zyrën e BE-së në Prishtinë, UNDP-në dhe agjencione të tjera të Kombeve të Bashkuara, Qeverinë e Norvegjisë, EULEX-in, Këshillin e Evropës, IRZ-në dhe GIZ-in gjerman, etj.  

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit është shprehur edhe në proceset e integrimit evropian ku të gjitha kapacitetet e Këshillit u janë përgjigjur në çdo kohë kërkesave për raportim.

  1. Plani strategjik dhe plani i veprimit

Këshilli gjatë këtij viti ka aprovuar planin strategjik dhe planin e veprimit për periudhën 2016 - 2018. Ky plan përmban gjithsej 4 shtylla dhe 26 objektiva specifike. Me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të planit strategjik, Këshilli ka themeluar Komisionin për mbikëqyrje i cili do të hartojë raporte periodike për nivelin e zbatimit të planit strategjik.

  1. Komunikimi me publikun (rregullorja për komunikim me publik, broshurat, ueb-faqja, raportet)

Siç është përcaktuar edhe me planin strategjik të Këshillit, ne kemi zhvilluar një komunikim efikas duke qenë transparent dhe të hapur edhe për publikun dhe mediat. Në këtë drejtim po theksoj aprovimin e akteve nënligjore përkatëse, zhvillimin e takimeve të këshillit me pjesëmarrjen e mediave dhe publikut të interesuar, publikimin e broshurave, raporteve dhe planeve si dhe me rifreskimin e faqes zyrtare me informata relevante.  Në këtë drejtim dua të theksoj edhe gatishmërinë tonë për dhënie të përgjigjeve kurdo që është kërkuar dhe duke u bazuar në ligj.

 

  1. Trajnimet

Këshilli në bashkëpunim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit ka arritur që edhe gjatë vitit 2016 të koordinoj dhe mbështesë ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve dhe stafit. Në bashkëpunim me Institutin Gjyqësor të Kosovës dhe partner të tjerë vendor e ndërkombëtarë janë organizuar programe të ndryshme trajnuese bazuar në nevojat e sistemit prokurorial.

Ne kemi hartuar dhe adresuar politikat për trajnimin e vazhdueshëm të prokurorëve dhe stafit, ndërsa lidhur me trajnimin fillestar kemi bashkëpunuar me Institutin Gjyqësor i cili javë më parë ka filluar trajnimin e prokurorëve të sapo emëruar.

  1. Sfidat

Gjatë veprimtarisë sonë për vitin 2016 përveç të arriturave dëshiroj të theksoj edhe sfidat kryesore me të cilat jemi përballur. Ndër sfidat kryesore do të veçoja sfidat si:

  • Buxheti i pamjaftueshëm për të mbuluar një numër të obligimeve sidomos ato për ekspertë dhe avokatë të angazhuar sipas detyrës zyrtare. Në këtë drejtim Këshilli përmes kërkesës buxhetore ka kërkuar një buxhet prej rreth 13 milion EURO ndërsa buxheti i aprovuar është rreth 9 milion EURO. Për shkak të këtij buxheti është e vështirë të realizohen disa nga objektivat e planifikuara.
  • Integrimi i prokurorëve dhe personelit administrativ nga komuniteti jo shumicë.
  • Specializimi i prokurorëve për trajtimin e krimeve karakteristike (korrupsioni, krimi i organizuar, krimi ekonomik).
  • Avancimi i komunikimit me media.
  • Ndërtimi i sistemit të menaxhimit elektronik të lëndëve (projekti TIK/SMIL)
  • Infrastruktura fizike (zgjerimi i hapësirave për Këshillin dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit). 
  1. Planifikimi i punës së Këshillit Prokurorial për vitin 2017

Këshilli Prokurorial është duke e hartuar planin vjetor të punës për vitin 2017 ku planifikohet të përfshihen aktivitetet e parapara me mandatin ligjor, Planin Strategjik 2016 – 2018 dhe kërkesat që burojnë nga procesi i integrimit Evropian.

  1. Raporti i punës për vitin 2016

Në pajtim me Ligjin, Këshilli në fillim të vitit 2017 do të paraqes publikisht raportin e punës i cili do të jetë i qasshëm në faqen zyrtare të Këshillit dhe në kopje fizike.

Në fund dëshiroj të ju falënderoj juve media për bashkëpunimin që kishim gjatë këtij viti, të ju uroj Vitin e Ri dhe të shpreh edhe njëherë gatishmërinë time dhe të Këshillit për avancimin edhe më tej të bashkëpunimit tonë”.