1201 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Sqarim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës

Prishtinë, 29.12.2016 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) përmes këtij sqarimi dëshiron të njoftojë opinionin publik se informatat e publikuara në gazetën ditore “Koha Ditore, sot, 29 dhjetor 2016, në faqe 4, me titull: “Këshilli Prokurorial ka shkelur ligjin në tenderin për sigurimin fizik të objekteve”, me autore Norë Shabani, nuk qëndrojnë.

Procedura e tenderit “Sigurimi i objekteve të Sistemit Prokurorial të Kosovës” është zhvilluar në platformën E – Prokurim, e që për Autoritetin Kontraktues (në këtë rast për KPK-në) ka qenë procedura e parë e zhvilluar në sistemin elektronik dhe vështirësitë që janë paraqitur në implementimin e këtij sistemi kanë ndodhur për arsye të mungesës së manualit për zhvillimin e procedurave elektronike.

Gjatë përgatitjes së dosjes së tenderit, është bërë gabim teknik tek kërkesat mbi aftësitë teknike dhe profesionale dhe pika 19.1 në Fletat e të dhënave të tenderit ka mbetur e zbrazët.

Pas ankesës së bërë nga Operatori Ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), më datë 22.12.2016, është kryer ekspertiza, ku KPK-së i është rekomanduar anulimi i tenderit, me qëllim të mos bërjes së ndonjë shkeljeje ligjore.

KPK-ja është pajtuar me ekspertizën e ekspertit të OSHP-së dhe me qëllim të mos shkeljeve eventuale ligjore, është bërë anulimi i tenderit të lartcekur.

Për fund, ju njoftojmë së përveç që nuk ka pasur shkelje ligjore, por për të mos bërë ndonjë shkelje ligjore eventuale, KPK-ja e ka anuluar tenderin, e jo OSHP-ja siç thuhej në shkrimin e lartcekur.