1196 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Zgjedhën kryeprokurorët e prokurorive Themelore të Kosovës

Prishtinë, 21 dhjetor 2016 – Është mbajtur takimi i njëqindenjëzetegjashtë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë bërë zgjedhjen e kryeprokurorëve të shtatë prokurorive Themelore të Republikës së Kosovës.

Për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, me gjashtë (6) vota për, dy (2) vota kundër, një (1) votë e pavlefshme, është rizgjedhur kryeprokurori, Imer Beka.

Ndërkaq, për të parin e prokurorisë Themelore të Ferizajt është zgjedhur prokurori Shukri Jashari, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) kundër.

Për prokurorinë Themelore të Gjakovës anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë zgjedhur me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, prokurorin Ali Selimaj.

Ndërsa, kryeprokurori i deritanishëm i prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqri Syla, me shtatë (7) vota për dhe dy (2) kundër, është rizgjedhur kryeprokurori i kësaj prokurorie.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, është rizgjedhur kryeprokuror i kësaj prokurorie.

Me shtatë (7) vota për dhe dy (2) kundër, anëtarët e KPK-së, kanë zgjedhur kryeprokuror të Prokurorisë Themelore të Pejës, prokurorin Agim Kurmehaj.

E për të parin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, me pesë (5) vota për dhe katër (4) kundër, kanë zgjedhur prokurorin Admir Shala.

Po sot, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës morën vendim që anëtarja e Komisionit për Vlerësimin e Përformancës së prokurorëve, prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, njëherësh anëtare e KPK-së,  Ikramije Bojaxhiu të angazhohet me punë të përhershme në afat kohorë prej dy viteve, në Komisionin për Vlerësimin e Përformancës së prokurorëve.

Këshilli Prokurorial gjatë këtij takimi ka aprovuar Rregulloren për Veprimtarinë, Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, me të cilin përcakton veprimtarinë, organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, për të ndihmuar dhe zbatuar rregullat, rregulloret dhe politikat e Këshillit, lidhur me menaxhimin, buxhetin dhe administrimin e prokurorive.