1119 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 14 tetor 2016 - Është mbajtur takimi i njëqindenjëzetedy i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Në fillim të këtij takimi, kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, njëherësh anëtar i KPK-së, Bahri Hyseni, para Këshillit ka prezantuar plotësim-ndryshimet e bëra në Rregulloren për Emërimin e kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës. Pas prezantimit, anëtarët e Këshillit pasi kanë bërë disa plotësim-ndryshime edhe e kanë miratuar rregulloren në fjalë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës po sot ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e kryeprokurorëve të prokurorive Themelore të Republikës së Kosovës.

Në vazhdim të takimit të njëqindenjëzetedy, drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, fillimisht ka prezantuar raportin e zbatimit të Planit Strategjik për periudhën  shkurti 2016 deri më tani, ndërsa për periudhën nga tetori 2016 deri në fund të vitit 2018, Këshilli ka aprovuar Planin e Veprimit të Planit Strategjik, me rekomandimet e dhëna nga anëtarët e tij.

Në pikën e fundit të rendit të ditës të takimit të sotëm, Këshilli ka themeluar Grupin prej tre anëtarëve për monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të Planit Strategjik. Anëtar të këtij grupi janë: prokurorja, njëherësh anëtarja e KPK-së, Radica Miliq - kryetare, menaxheri i Zyrës për mbikëqyrje analitike dhe verifikim prokurorial, Valon Jupa dhe zyrtarja ligjore, Saranda Sokoli, anëtar.