1098 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Diskutohet propozimi për numrin unik të lëndëve nëpër prokurori

Prishtinë, 30 gusht 2016 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, sot ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga Projekti TIK/SMIL, ku është bërë prezantimi i propozimit për numrin unik të lëndëve në prokurori.

Në këtë takim në të cilin morën pjesë edhe kryeprokurorët dhe administratorët e prokurorive të Kosovës, Kryesuesi Isufaj tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës bazuar në Planin Strategjik të Teknologjisë së Informacionit dhe të komunikimit për periudhën 2015-2020, ka paraparë digjitalizimin e prokurorive, duke kaluar nga sistemi manual në sistemin elektronik të procesit të punës.

“Sot është e pamundur të mendosh të kesh një informacion të shpejt dhe të saktë, përmes së cilit do të sigurohen raporte statistikore të besueshme për matjen e performances së prokurorëve dhe numrit të lëndëve nëpër prokurori,  pa një sistem të avancuar të teknologjisë informative”, tha Isufaj.

Ai me tej tha se duke falënderuar donacionin e Qeverisë Norvegjeze, ka filluar implementimi i Projektit TIK/SMIL, ku sipas tij, fillimisht me stafin e Projektit TIK/SMIL, janë implementuar të gjitha aktivitetet e fazës fillestare për prokurori.

Në fund të fjalës së tij, kryesuesi Isufaj tha së KPK-ja planifikon që gjatë vitit 2017-2018, të vejë në funksion një sistem elektronik për menaxhimin e lëndëve në gjitha prokuroritë, duke shtuar se kjo do të mundësoi që çdo lëndë që hynë në prokurori, të administrohet vetëm në mënyrë elektronike.

Po gjatë këtij takimi, drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, ka prezantuar sistemin aktual të regjistrimit dhe identifikimit të lëndëve në prokuroritë e Kosovës.