1085 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 29 korrik 2016 - Është mbajtur takimi i njëqindenëntëmbëdhjetë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takim Kryesuesi i Komisionit për Vlerësimin e Përformancës së Prokurorëve ka prezantuar raportin e vlerësimit të përformancës së 11 prokurorëve, ku pas diskutimeve të zhvilluara, anëtarët e KPK-së e kanë aprovuar raportin e Komisionit.

Po sot, anëtarët e KPK-së e kanë miratuar Rregulloren Nr.07/2016, për Procedurën Disiplinore për Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Miratimit të kësaj rregulloreje i ka paraprirë prezantimi i saj nga Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative.

Në takimin e njëqindenëntëmbëdhjetë të KPK-së është bërë ndryshimi dhe plotësim i Rregullores Nr.01/2015, mbi Rolin dhe Veprimtarinë e Bordit Drejtues të projektit TIK/SMIL.

Anëtarët e Këshillit kanë marrë vendim të aprovojnë kërkesën për vazhdimin e mandatit edhe për dy vite për 17 prokurorë të EULEX-it, të cilët janë të angazhuar në kuadër të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, të cilët në procedurë të mëtutjeshme duhet të dekretohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Këshilli mori vendim për miratimin e kërkesës për emërimin e një prokurore të EULEX-it, e cila në procedurë të mëtutjeshme do të dërgohet për dekretim të Presidenti i Republikës së Kosovës.