1073 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Komisioni për Çështje Normative shqyrton dy udhëzime Administrative

Prishtinë, 27 qershor 2016 - Komisioni për Çështje Normative i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), mbajti takimin e radhës, në të cilin u punua në plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Përcaktimin e Shpenzimeve të Reprezentacionit dhe Udhëzimit Administrativ për Përdorimin e Telefonave Fiks dhe Mobil në Këshillin Prokurorial dhe prokuroritë e Republikës së Kosovës.

Në këtë takim të udhëhequr nga kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, Bahri Hyseni, përveç anëtarëve të komisionit, pjesëmarrës ishin edhe Drejtori i Sekretariatit të KPK-së dhe këshilltarët nga UNDP-ja.  

Sa i përket Udhëzimit Administrativ për Përcaktimin e Shpenzimeve të Reprezentacionit, komisioni diskutoi lidhur me menaxhimin më efikas të buxhetit duke përcaktuar procedurën dhe lartësinë e shpenzimeve të reprezentacionit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe komisionet e tij, Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, prokuroritë e të gjitha niveleve dhe personelin menaxhues.  

Ndërsa sa i përket Udhëzimit Administrativ për Përdorimin e Telefonave Fiks dhe Mobil në Këshillin Prokurorial dhe prokuroritë e Republikës së Kosovës, komisioni trajtoi çështjet që kanë të bëjnë me procedurën dhe lartësinë e shpenzimeve për përdorimin e telefonave fiks dhe mobil në Këshillit Prokurorial dhe prokuroritë e Republikës së Kosovës.

Pas diskutimeve lidhur me këto dy udhëzime, komisioni propozoi që të njëjtat t’i dërgojë në takimin e radhës për miratim nga Këshillit Prokurorial i Kosovës, duke vlerësuar se këto udhëzime së bashku edhe me udhëzimin për shfrytëzimin e automjeteve në sistemin prokurorial të Kosovës, janë të domosdoshme për funksionimin sa më efikas të këtij sistemi.