1065 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimi me administratorët e prokurorive

Prishtinë, 24 qershor 2016 – Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, sot ka mbajtur takimin e përbashkët të radhës me menaxherët e zyrave të Sekretariatit dhe administratorët e prokurorive, ku u diskutua për punët dhe koordinimin e aktiviteteve në mes të zyrave të Sekretariatit dhe administratave të prokurorive.

Gjatë këtij takimi u diskutua për planin e punës për 6 mujorin e dytë të vitit 2016 dhe planin për vitin e ardhshëm, vendosjen e prioriteteve, për vlerësimin e punës së stafit administrative dhe nevojat e ngritjes së kapaciteteve për stafin.

Lidhur me ngritjen e kapaciteteve të stafit, drejtori Krasniqi tha së do të bëhen organizime të trajnimeve për çështje ku stafi ka nevojë për trajnime, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve në punën e sistemit prokurorial.

Temë tjetër e këtij takimi ishte edhe adresimi i çështjeve nga kompetenca e stafit administrativ që kanë dalë nga vizitat e bëra nëpër prokurori, të kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj dhe drejtorit të Sekretariatit, Lavdim Krasniqi.

Takimet e përbashkëta të menaxherëve të zyrave të Sekretariatit të KPK-së me administratorët e prokurorive, janë takime të rregullta të organizuar nga Drejtori i Sekretariatit, me qëllim të koordinimit dhe bashkëpunimit sa më të mirë në arritjen e synimeve të parapara me planifikimet vjetore të punës.