1052 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

Prishtinë, 15 qershor 2016 – Është mbajtur takimi i njëqindeshtatëmbëdhjetë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, kanë shqyrtuar dhe aprovuar me disa sugjerime të cilat u dhanë nga anëtarët e Këshillit, Raportin e Koordinatorit Kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike për periudhën tetor - dhjetor 2015 dhe janar – mars 2016.

Po sot, anëtarët e Këshillit shqyrtuan kërkesën e parë buxhetore të Këshillit Porkurorial të Kosovës për vitin 2017, kërkesë kjo e cila u aprovua me disa sugjerime për plotësim-ndryshime.

Gjithashtu, përcaktimi i pozitave për avancim dhe transferim të prokurorëve nëpër prokurori, ishte pika e cila u shqyrtua dhe aprovua nga anëtarët e Këshillit Prokurorial.

Për  sekretar të komisionit për çështje normative anëtarët e Këshillit e caktuan, Valdrin Krasniqin, zyrtar ligjor në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial.

Po ashtu, anëtarët e Këshillit Prokurorial, morën vendim që sekretarët e Komisioneve të Këshillit Prokurorial të Kosovës të paguhen për angazhimin shtesë nëpër komisione. Ky vendim është marrë deri në nxjerrjen e një vendimi të përhershëm lidhur me këtë çështje.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial, gjatë takimit bën plotësim-ndryshimin e Komisionit mbikëqyrës në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Në vend anëtarit të deri tashëm të këtij komisioni, prokurorit Shqipdon Fazliu, caktuan prokuroren Laura Pula.

Prokurorin Arben Ismajli, anëtarët e KPK-së e caktuan anëtarë nga radhët e Këshillit Prokurorial si person kontaktues ku duhet të adresojnë kërcënimet eventuale që mund t’u drejtohen prokurorëve.