1045 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

KPK-JA ANGAZHOHET PËR NGRITJEN E EFIKASITETIT TË PUNËS NË TË GJITHA PROKURORITË

Mitrovicë-Prishtinë, 09 qershor 2016 -  Në vazhdën e takimeve që është duke i zhvilluar nëpër prokuroritë e Kosovës, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, i shoqëruar nga drejtori i Sekretariatit, Lavdim Krasniqi, kanë vizituar Prokurorinë Themelore të Mitrovicës dhe të Prishtinës, me ç ‘rast kanë takuar kryeprokurorët, prokurorë dhe staf administrativ të këtyre dy prokurorive.

Kryesuesi Isufaj gjatë vizitave të bërë në këto dy prokurori, është njoftuar me punën që është duke u bërë, me sfidat që po ballafaqohen dhe kushtet e përgjithshme për punë të këtyre prokurorive.

Kryesuesi Isufaj ka thënë se Këshilli Prokurorial dhe Prokurori Shtetit janë duke u angazhuar që Prokuroria Themelore e Mitrovicës të ketë kushte sa më të mira për punë, në mënyrë që efikasiteti në punë të jetë sa më i madh. Në këtë drejtim, u tha se shumë shpejtë do të gjendet një zgjidhje edhe për objektin e kësaj prokurorie.

Gjatë takimit në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, kryesuesi Isufaj ka thënë se duke qenë i njohur me numrin e madh të lëndëve që kjo prokurori ka, do të vazhdojë angazhimin e tij, që kësaj prokurorie t’i sigurohen kushte, sidomos profesionale, me qëllim të rritjes së efikasitetit në punë.

Kryesuesi i KPK-së ka thënë se dëshiron të jetë i njoftuar nga afër me nevojat që kanë Prokuroria Themelore e Mitrovicës dhe e Prishtinës sa i përket shtimit dhe ndryshimit të numrit të prokurorëve nëpër departamente dhe avancimit të tyre, si dhe shtimit të stafit administrativë dhe ngritjes infrastrukturore.

Lidhur me konkursin e brendshëm për avancimin dhe transferimin e prokurorëve, kryesuesi Isufaj tha se shpallja e këtij konkursi nga KPK-ja, ka për qëllim ngritjen e efikasitetit të punës së prokurorive, përmes transferimit dhe avancimit të prokurorëve në ato vende ku shihet që është e nevojshme.