1020 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

Prishtinë, 27 maj 2016 – Është mbajtur takimi i njëqindegjashtëmbëdhjetë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi anëtarët e Këshillit Prokurorial, kanë shqyrtuar dhe aprovuar Rregulloren për Njësinë Ndërlidhëse për Përgjime.

Kjo Rregullore përcakton funksionimin e Njësisë Ndërlidhëse për Përgjimet në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, procedurat në procesin e përgjimit ligjor, si dhe detyrat dhe përgjegjësitë e zyrtarëve për zbatimin e procedurës së përgjimit duke u mbështetur në standarde të larta profesionale dhe në zbatimin me sukses të masave të fshehta të përgjimit.

Gjithashtu, anëtarët e KPK-së kanë shqyrtuar dhe aprovuar Rregulloren për Komunikim Publik, që ka për qëllim rregullimin e mënyrës së komunikimit publik për aktivitetet dhe punën e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit.

Po sot, u shqyrtua dhe u aprovua Raporti analitik për veprat penale, karakteristike për vitit 2013, 2014, dhe 2015,

Në Raporti analitik pasqyrohen rezultatet tre vjeçare të punës së prokurorive në luftimin e veprave penale karakteristike.

Objekt i këtij raporti janë veprat penale karakteristike, pjesë e mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për harmonizimin  e të dhënave statistikore, duke përfshirë: Armët, drogat, kontrabandimin me migrantë, krimin e organizuar, korrupsionin, shpëlarjen e parasë dhe  trafikimin me qenie njerëzore.

Anëtarët e KPK-së, themeluan Komisionin për shqyrtimin e aplikacioneve për kryeprokuror të Prokurorisë së Apelit dhe të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Anëtarët, vendosën që kryetar i këtij komisioni të jetë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ndërkaq, për anëtarë, u caktuan prokurorët, Lulzim Sylejmani dhe Haxhi Sinanaj.

Po ashtu, anëtarët e KPK-së, kanë bërë plotësim-ndryshimin e Komisionit për rishqyrtimin e kërkesave të kandidatëve jo shumicë. Për kryetar të këtij komisioni, do të jetë, prokurorja Radica Milic, ndërsa, për anëtarë u caktua prokurori, Feti Tunuzliu dhe Claudio Pala, ushtruese e detyrës së Kryeprokurorit të EULEX-it.

Pikë tjetër e rendit të ditës që u shqyrtua dhe aprovua nga anëtarët e KPK-së, ishte Vendimi për kompensimin e prokurorëve që angazhohen në Komisionet e Këshillit. Anëtarët e KPK-së, morën vendim që pagesa e tyre të bëhet, sipas vendimit të vjetër deri në nxjerrjen e një vendimi të ri.

Ndërkaq, anëtarët e Këshillit morën vendim që prokurorit, Abdurrahim Islamit, t’i vazhdohet mandati edhe për gjashtë muaj për prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, anëtarët e KPK-së, u pajtuan që të vazhdohet afati i aplikimit të prokurorëve për transferim dhe avancim deri më 10 qershor.

Pikë e fundit e rendit të ditës ishte caktimi i ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Njësitit të Performancës së Prokurorëve. Për këtë pozitë anëtarët e Këshillit caktuan drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri.