1014 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

FJALIMI I KRYESUESIT ISUFAJ ME RASTIN E PUBLIKIMIT TË MONITORIMIT TË GJYKATAVE PËR VITIN 2015

Prishtinë, 13 maj 2016 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, sot ka marrë pjesë në publikimin e raportimit vjetorë të monitorimit të gjykatave për vitin 2015, të organizuar nga BIRN.

Kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, para të pranishmëve tha:

“Në cilësi të Kryesuesit të KPK-së vlerësoj pozitivisht përpjekjet e BIRN që të vejë në pah zhvillimet në sistemin gjyqësor, përmes monitorimit të gjykatave. Ky proces padyshim se shpalosë edhe një pjesë të zhvillimeve lidhur me punën e prokurorëve në gjykime. 

Në veçanti vlerësoj lartë qasjen e raportit i cili po prezantohet sot, sepse kam vërejtur se ai i është qasur monitorimit të gjykatave nga tre aspekte; një, mangësitë dhe të metat e ndryshme, dy, theksimi i shembujve pozitivë dhe tre, rekomandimet konkrete për të ardhmen.

Me këtë rast dëshiroj t’i referohem së pari mangësive të evidentuara sepse ne si Këshill Prokurorial i Kosovës përkundër sfidave kemi ndërmarrë veprime konkrete të cilat adresojnë shumë tema të theksuara në raport.

Ndër zhvillimet më të rëndësishme në këtë drejtim janë

  • Rastet e korrupsionit të nivelit të lartë janë duke u trajtuar me prioritet. Për këtë qëllim Këshilli ka miratuar Strategji për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në kuadër të PTH në Prishtinë, ka themeluar Njësitin për trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik.
  • Është krijuar databazë e veçantë për regjistrimin e rasteve të shënjestruara dhe të gjitha veprimeve rreth tyre, të cilat ndërmerren nga të gjithë akterët e përfshirë në trajtimin e këtyre rasteve (të korrupsionit dhe krimit të organizuara). Ky veprim i KPK-së ka krijuar mundësitë që të ngritët edhe niveli i bashkëpunimit në mes të subjekteve të procedurës penale.

Është e rëndësishme të theksohet se Këshilli Prokurorial ka realizuar aktivitete të rëndësishme në drejtim të zhvillimit të tij institucional.

Në këtë drejtim, vetëm pas ndryshimeve ligjore nga korriku i vitit 2015 Këshilli ka miratuar 14 rregullore të cilat kanë ndikim vendimtarë në zbatimin e funksioneve të tij.

Ndër rregulloret e miratuara e të cilat do të ndikojnë në adresimin e mangësive të raportit i cili po publikohet sot, është Rregullorja për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve. Kjo rregullore ka përcaktuar kritere të qarta për vlerësimin e performancës së prokurorëve dhe ka krijuar mundësi që të ndërmerren masa adekuate për prokurorët jo kompetent për të ushtruar funksionin e prokurorit.

Në këtë drejtim vlen të theksohet puna e Komisionit për Vlerësimin e Performacës së Prokurorëve i cili ka një plan konkret të vlerësimit të vazhdueshëm të të gjithë prokurorëve.

Me këtë rast mund të them se të gjeturat e raportit lidhur me mangësitë e prokurorëve do të trajtohen me përkushtim nga ky komision dhe nga Këshilli. Gjithashtu ne do të bashkëpunojmë me Institutin Gjyqësor të Kosovës për organizimin e trajnimeve të specializuara me qëllim të përmirësimit të kapaciteteve të prokurorëve, me fokus në segmentet e theksuara nga raporti.

Po ashtu Këshilli ka miratuar edhe Planin Strategjik 2016-2018 përmes të cilit ka përcaktuar katër objektiva të përgjithshme të cilat janë;

  1. Fuqizimi i Strukturës dhe Kapaciteteve Institucionale të Sistemit Prokurorial;
  2. Promovimi i Kompetencave dhe Profesionalizmit;
  3. Zgjerimi i Qasjes në Drejtësi dhe Marrëdhëniet me Publikun;
  4. Përmirësimi i Shërbimeve dhe Teknologjisë.

Zbatimi i Planit Strategjik dhe planeve të tjera do të garantojë adresimin e rekomandimeve të theksuara në raportin e BIRN-it.

Lidhur me adresimin e rekomandimeve të raportit mund të them se në sistemin prokurorial aktualisht ka zhvillime të rëndësishme, ndër të cilat vlen të theksohet procesi i rekrutimit të 22 prokurorëve, me ç ‘rast për herë të parë është hartuar provimi për prokurorë i cili pritet të administrohet në javët në vijim. Gjithashtu jemi në proces të transferimit dhe avancimit të prokurorëve me qëllim të adresimit të nevojave në nivele të ndryshme të prokurorive, sidomos në Prokurorinë Speciale dhe në departamentet e Krimeve të Rënda të prokurorive themelore.

Një proces i rëndësishëm me të cilin aktualisht po administron Këshilli është edhe rekrutimi i 6 prokurorëve dhe 34 pozitave të personelit administrativ i cili po zhvillohet në kuadër të integrimit të minoritetit serb në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.

Numri i bashkëpunëtorëve profesional do të rritet vetëm pas aprovimit të pozitave të cilat i kemi kërkuar në kuadër të rishikimit buxhetor apo në vitin fiskal 2017, pasi të marrim buxhetin e nevojshëm.

Lidhur me problemet me Pallatin e Drejtësisë, jemi duke punuar që në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës ta sigurojmë transportit për të punësuarit në Pallatin e Drejtësisë.

Siç mund të keni njohuri aktualisht është duke u trajtuar rasti i keqpërdorimeve të mundshme në ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, por nuk mund të jepen të dhëna detale për shkak të natyrës dhe fazë në të cilën ndodhet rasti.

Problemet teknike të theksuara si ai i gjeneratorit në Prokurorinë Themelore në Pejë janë evituar krejtësisht. Ndërsa vlen të përmendet se edhe objekti i Prokurorisë Themelore në Gjakovë është duke u ndërtuar, përkatësisht ndërtimi ka filluar para një muaji dhe po zhvillohet me një dinamikë intensive.

Në fund duke vlerësuar edhe njëherë raportin e prezantuar sot, dëshiroj të shpreh gatishmërinë e KPK-së për bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim të përballimit të sfidave të përbashkëta”.